Një "Listë shqiptare" për Luginën e Preshevës
Lokale

Një "Listë shqiptare" për Luginën e Preshevës

08.Mar.2015 09:56
0

Në Artanë (ish-Novobërdë) serbë ka më shumë se shqiptarë, por në disa mandate kryetari i Komunës ka qenë shqiptar. Kjo për një arsye të vetme: në zgjedhje shqiptarët ishin të unifikuar, kurse serbët kandidonin me më shumë parti. Prandaj, kjo situatë ua ka lehtësuar fitoren kandidatëve shqiptarë.

Duke parë këtë trend, Serbia gjeti një formulë – e formoi Listën “Srpska” dhe kjo menjëherë iu shpagua. Ngase ishte kjo listë që i fitoi zgjedhjet në katër komuna të Anamoravës: Novobërdë, Partesh, Kllokot dhe Ranillug.

Pak kilometra më larg prej këtu, në Luginë të Preshevës, faktori politik shqiptar është i ndarë në dhjetëra subjekte politike. Dhe, ndonëse fitoren e ka të lehtë në Preshevë, në Bujanoc fitoi me “çyk të zorit”, e në Medvegjë fitoren e ka të pamundur.

Në një situatë kur në zgjedhjet e ardhshme është e mundur që të humbet Bujanoci, edhe nga shkaku se me lloj-lloj intrigash Serbia po mundohet të zvogëlojë trupin zgjedhor shqiptar, si domosdoshmëri shihet formimi i një “Liste Shqiptare” në Luginë të Preshevës.

 

Edhe Bujanocin mund ta gjejë fati i Medvegjës

Kushtrim Kadriu, zëdhënës në Lëvizjen “Vatra” në Gjilan, thotë se numri i shqiptarëve në Kosovën Lindore ka nisur të pakësohet. Atje numri i tyre po bie në mënyrë drastike, ngase menjëherë pas luftës kishte banorë të fshatrave të Malësisë së Bujanocit dhe të Malësisë së Karadakut që emigruan në drejtim të Kosovës, më pas emigrimi vazhdoi edhe kur për Serbinë u hoq regjimi i vizave nga BE-ja dhe shumica e kësaj popullate që ka emigruar tashti janë stabilizuar si në Kosovë ashtu edhe në vendet e BE-së, gjë e cila ka bërë që të bjerë numri i banorëve shqiptarë në Kosovën Lindore.

Me rënien e numrit të banorëve, në masë të madhe ka rënë edhe numri i votuesve shqiptarë, gjë që përbën rrezik të madh që të humbet pushteti në komunën e Bujanocit dhe mund të ndodhë ajo që më herët i kishte ndodhur komunës së Medvegjës, e cila tashti dominohet nga serbët, shkruan "Zëri".

Sipas Kadriut, në masë të madhe kësaj po i kontribuon edhe përçarja e skenës politike shqiptare në Kosovën Lindore, pastaj edhe lindja e shumë partive politike dhe kjo po bën që faktori politik të mos jetë i unifikuar dhe është tejet i përçarë. Kadriu thotë se regjimi serb, në Bujanoc dhe Medvegjë, po e shfrytëzon këtë përçarje dhe derisa 12 – 13 parti politike shqiptare veprojnë në terren, 5-6 të tjera aktivizohen gjatë zgjedhjeve dhe tashti po paralajmërohet edhe formimi i partive të reja politike shqiptare, andaj shtrohet pyetja se çka i duhen Kosovës Lindore aq shumë subjekte politike.

 

Rivaliteti politik mes shqiptarëve në Luginë më i madh se gjithkund tjetër

“Formimi i më shumë partive politike e ndan votuesin shqiptar. Secila parti merr nga pak vota nga votuesit e vet, derisa serbët po i bashkojnë listat dhe ato janë shumë më të unifikuara, andaj ato edhe mund të dalin të parat dhe ta marrin pushtetin, sidomos në komunën e Bujanocit”, thotë Kushtrim Kadriu, i cili e pranon se rivaliteti mes spektrit politik shqiptar në Kosovë Lindore është më i madh sesa në Kosovë e në Shqipëri, apo edhe në Maqedoni, ngase sipas tij, si mund të kuptohet ndryshe që një territor të banuar me mbi 50 mijë banorë, të ketë aq shumë parti politike.

“Nëse në Kosovë serbët mund të krijojnë një “Lista Srpska”, pse shqiptarët nuk do të mundë të krijonin një “Lista Shqiptare” në Kosovën Lindore”, thotë Kadriu dhe shton se ashtu sikurse që insistoi Qeveria serbe në formimin e “Listës Serbe”, njëjtë duhet që edhe zyrtarët e Kosovës, por edhe ata të Shqipërisë, që të insistojnë në formimin e një “Liste Shqiptare”. Në këtë drejtim ka pasur përpjekje, ngase Lëvizja “Vatra” ka vepruar dhe ka tentuar të bëjë lëvizje në këtë drejtim, por nuk ia ka arritur, andaj është e domosdoshme që aparati shtetëror i dy shteteve të ndikojë në këtë drejtim. Kosovës Lindore i duhet një liste unike, ajo është në të mirën e qytetarëve, në të mirën e çështjes së tyre dhe të aspiratave të popullatës së asaj ane. /Titulli.com/

Kërkohet ndihmë urgjente për Ramil Aliun (Dokument)
Përfaqësuesja e grave të Luginës së Preshevës, kërkon ndihmën e Kosovës dhe Shqipërisë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration